Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me qytetarë në Athinë, u pyet lidhur me shqetësimet nëse Greqia mund të bllokojë sërish Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Një qytetar ngriti shqetësimin duke pyetur se çfarë do të bëjë qeveria shqiptare në një skenar të tillë.
Rama iu përgjigj duke siguruar të pranishmit se kjo çështje me Greqinë është kapërcyer dhe se me qeverinë e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis ekziston një dialog i vazhdueshëm. Ai i cilësoi ata që ngrenë ende këtë shqetësim si “bufa kënetash nacionalistë” që kanë bërë rrëmujë.
Kryeministri solli sërish në vëmendje kërkesën e Shqipërisë që Greqia të heqë ligjin e luftës, duke e parë këtë si një relikt të së kaluarës që nuk i shërben marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.
Përgjigjja e Ramës u shoqërua edhe me një batutë, kur qytetari e komplimentoi për atletet e tij. Pasi e falënderoi për komplimentin dhe për pjesëmarrjen në takim, Rama iu përgjigj pyetjes për bllokadën e mundshme me shprehjen “Ti e mban mend atë shprehjen, po të kishte halla… Po ç’është gjithë ky entuziasëm”, duke nënkuptuar se një skenar i tillë nuk ka gjasa të ndodhë duke pasur parasysh marrëdhëniet aktuale me Greqinë.