Në vazhdim të gjyqit për dosjen “Gërdeci”, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kundërshtuar akt-ekspertizën tekniko-ushtarake, duke argumentuar se përgjegjësia për trajtimin e municioneve nuk i përket ministrit, por Forcave të Armatosura.
Mediu ka theksuar se çdo vendim qeveritar për çmontimin e municioneve është shoqëruar me urdhra ministrorë dhe udhëzime nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së. Ai ka sqaruar se kompania SAC kishte detyrimin për demontimin dhe demilitarizimin e municioneve, duke i kthyer ato në materiale të parrezikshme, por sipas tij kompania ka bërë vetëm demontimin.
Ish-ministri ka shtuar se Forcat e Armatosura kishin detyrimin ligjor për të mbikëqyrur procesin dhe se zyrtarë të lartë të FA-së ishin të pranishëm në Gërdec, por nuk kanë zbatuar detyrimet e tyre. Mediu ka insistuar se përgjegjësia për sigurinë dhe zbatimin e procedurave ishte e FA-së dhe jo e tij si ministër.