Kandidatja për deputete e Partisë Mundësia në Qarkun e Fierit, Frida Mavriqi, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e qytetit të Fierit, duke e cilësuar atë si “bosh”. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Mavriqi shfaqet në qendër të qytetit, duke vënë në dukje mungesën e njerëzve në një ditë të shtunë pasdite me diell.
Mavriqi theksoi se brenda 10 viteve, Fieri ka humbur mijëra të rinj. Sipas saj, kjo nuk ka ndodhur për shkak të dëshirës së tyre për të ikur, por për shkak të mungesës së arsyeve për të qëndruar dhe për t’u zhvilluar në qytetin e tyre.
“Para 10 vitesh, në një ditë të shtune si kjo e sotmja, me këtë kohën e mrekullueshme me diell, ora shënon 16:27 e pasdites. Fieri ka qenë plot. Sot, pas 10 vitesh, në 2025, qyteti është bosh,” – u shpreh Mavriqi në video. Ajo shtoi se nuk sheh asnjë arsye tjetër për këtë zbrazëti përveç mungesës së mundësive politike për të rinjtë.
Mavriqi argumentoi se të rinjtë po detyrohen të kërkojnë hapësira zhvillimi jashtë Fierit dhe se kjo situatë duhet të ndryshojë pas 11 majit, datës së zgjedhjeve. Ajo shprehu besimin se është koha për një ndryshim në Fier, duke nënkuptuar se Partia Mundësia do të ofrojë zgjidhje për këtë problem.