Gazetarja Klodiana Lala ka hedhur dyshime mbi rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Elbasanit, duke vënë në pikëpyetje numrin e lartë të votave të marra nga Sara Mila, kandidatja e Partisë Socialiste. Lala ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të hetojë lidhjet e mundshme të Milës me krimin e organizuar, konkretisht me grupin e Suel Çelës.
Në një intervistë për MCN TV, Lala e ka cilësuar rastin e Milës si “shumë të çuditshëm”, duke theksuar se ajo është një person i panjohur që ka arritur të renditet e para me një numër të lartë votash.
“Në Elbasan, Sara Mila është një zonjë pa asnjë kontribut publik, por rezulton gruaja më e votuar në qarkun e Elbasanit. Si ka mundësi një grua që nuk njihej nga 90% e qytetarëve?” pyeti Lala.
Gazetarja ka raportuar se qytetarët e Elbasanit dhe Librazhdit kanë pohuar se janë orientuar për të votuar Milën. Ajo ka shtuar se fakti që Mila nuk kishte kontribut publik dhe rezulton më e votuara, ngre dyshime se krimi i organizuar ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
“Dyshohet se ka patur ndikim grupi i Suel Çelës, këtë mbetet ta provojë SPAK,” tha Lala.
Lala ka theksuar se patronazhimi, një skemë e ndërtuar nga mazhoranca socialiste, ka mundësuar një numër të lartë mandatësh dhe ka krijuar frikë tek qytetarët për të votuar subjekte të tjera. Ajo ka raportuar se qytetarët, kur pyeten për kë kanë votuar, tregojnë jashtë kameras, por kanë frikë se mos zbulohet se ku kanë dërguar votën.
“Shqipëria është zbrazur, pjesa dërrmuese është administratë, u është kërkuar të sjellin vota të fotografuara nga diaspora,” shtoi Lala.
Ajo ka theksuar se zonja Mila ka të drejtë të dalë dhe të japë reagimin e saj, por theksoi se shumë persona me kontribute brenda PS nuk kanë marrë kaq shumë vota.
Lala ka vënë në dukje se në Durrës, rezultatet e Arkend Ballës dhe Anri Dyrmishit ishin të parashikueshme, ndërsa votat e Milës në Elbasan ngrenë dyshime të forta.