Edhe Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, për lirimin nga qelia. Fetahu, e cila ndodhet në burg, kishte kërkuar zbutjen e masës së sigurisë duke argumentuar me përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore gjatë qëndrimit në paraburgim.
Përmes avokatëve të saj, ish-gjyqtarja pretendonte se shkaqet shëndetësore e justifikonin një masë sigurie më të lehtë. Megjithatë, këto argumente nuk kanë bindur trupin gjykues të Apelit të GJKKO-së. Gjykata vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Fetahut.
Vendimi i Apelit u mbështet jo vetëm në provat e gjetura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) kundër saj, por edhe në dyshimet e vazhdueshme për mundësinë e prishjes së provave nëse ajo do të lihej e lirë.
Pajtime Fetahu ndodhet e paraburgosur në burgun e Pojskës në Pogradec. Ajo është e implikuar në dy dosje të SPAK-ut. Dosja e parë lidhet me lidhjet e saj të dyshuara me organizatën kriminale “Çopja”, për të cilën fillimisht u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ndërsa dosja e dytë, për të cilën aktualisht mbahet në burg, ka të bëjë me lidhjet e saj me organizatën e Suel Çelës. Vendimi i Apelit të GJKKO-së konfirmon qëndrimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe e mban ish-gjyqtaren Fetahu pas hekurave.