Prokuroria e Tiranës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Bledar Jambellin (alias Rikardo Muho) dhe Kristaq Lecin, të akuzuar si porositës dhe ndihmës në vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, e ndodhur më 8 prill 2017 në Tiranë. Krimi dyshohet se u krye si akt hakmarrje.
Sipas organit të akuzës, Bledar Jambelli, i cili kishte një histori të gjatë me drejtësinë, ishte arrestuar dhe hetuar në vitin 2012 nga policia e Vlorës, e drejtuar nga Artan Cuku, për vrasjen e dy shtetasve. Edhe pse më vonë u lirua, Prokuroria thekson se ky arrestim shërbeu si motiv për vrasjen e Cukut.
Për të kryer krimin, Jambelli dyshohet se lidhi marrëveshje me Kristaq Lecin dhe Mikel Shallarin. Ky i fundit, ekzekutori i vrasjes, iu premtuan 20,000 euro dhe ndihmë për t’u larguar në Gjermani. Kristaq Leci pajisi Shallarin me dy pistoleta dhe mori përsipër të vëzhgonte viktimën.
Mikel Shallari gjuajti të paktën 8 herë ndaj Cukut, duke e lënë të vdekur në vendngjarje. Pas arrestimit, Shallari bashkëpunoi me drejtësinë, duke pranuar akuzën dhe u dënua me 10 vjet burgim.
Prokuroria ka theksuar se vrasja ishte e paramenduar dhe e motivuar nga hakmarrja e Jambellit dhe përfitimi material i bashkëpunëtorëve të tjerë. Të tre personat bashkëpunuan në këtë krim, ku Jambelli ishte organizatori, Leci ndihmësi (që synonte të ndihmonte shokun dhe të afërmin e tij Shallarin për përfitim monetar), dhe Shallari kishte interesin e pagesës.