Artan Tafani, i cilësuar si “i penduari i drejtësisë” me 17 ngjarje kriminale të rrëfyera, ka dëshmuar sot për herë të parë në GJKKO, duke zbardhur detaje nga ekzekutimi i biznesmenit Çajup Selimi. Krimi ndodhi më 1 qershor 2022 në qendër të Tepelenës.
I pyetur nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, Tafani u shpreh se arsyeja e ekzekutimit ishte një konflikt që viktima kishte pasur me Erisiano Abedinin. Tafani rrëfeu se Selimi kishte ngacmuar nënën e Erisianos. “Duke qenë se Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili kishin rënë në burg, Laert Haxhiu kishte nevojë për njerëz e për mua,” shtoi Tafani, duke sugjeruar një lidhje mes ngjarjes dhe nevojës së grupit të Laert Haxhiut për anëtarë të rinj.
Pas vrasjes, Tafani tregoi se udhëtoi drejt Greqisë, ku takoi Laert Haxhiun, Mario Dijamantin dhe Xhino Bajramin në një vilë, ku ata ishin me të dashurat e tyre. Kjo dëshmi pritet të hedhë dritë të mëtejshme mbi rrjetin kriminal dhe rrethanat e krimit.