Artan Tafani, i cilësuar si “i penduari i drejtësisë”, ka dhënë dëshmi rrëqethëse para Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), duke hedhur dritë mbi detaje të ekzekutimit të Albi Bashaliut.
Tafani rrëfeu se pas vrasjes së Bashaliut, ai u strehua në një shtëpi me qira në zonën e Astirit, së bashku me Laert Haxhiun. “Unë ndenja me Laertin pasi më kërkonte policia. Morëm një shtëpi me qira në Astir, në emër të një shoqeje të dashurës së Laertit. Pas vrasjes së Elton Mermalit, kemi bërë edhe vrasjen e Albi Bashaliut,” deklaroi Tafani.
Sipas dëshmisë së tij, vrasja e Bashaliut u krye “për nder të Lorenc Lalës”. Tafani citoi Haxhiun të thoshte: “Kjo vrasje sipas tyre do bëhej për nder të Lorenc Lalës. Ne ishim dakord që nëse ai ishte dakord, atëherë do bëhej. Vrasja do bëhej në Peqin dhe kishte si qëllim të merrte hak për djemtë e tij.”
Tafani tregoi gjithashtu detaje nga dita e ekzekutimit: “Viktima ishte në një makinë që shiste pula zogj. Mora një makinë me qira në rrugën e Elbasanit dhe shkova në Gjoçaj të Peqinit për të takuar të zotin e hallit, një djalë që e mora në Rrogozhinë. Ai do tregonte ku kishte shtëpinë Albi Bashaliu dhe ku pinte kafenë. Këtij djali i kishin vrarë të atin.” Kjo dëshmi pritet të japë një kontribut thelbësor në zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij krimi.