Pas ndalesave në Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Fier, autobusi i fushatës së Partisë Mundësia ka mbërritur në Vlorë, si pjesë e turit të tyre përpara hapjes zyrtare të fushatës elektorale. Kreu i partisë, Agron Shehaj, gjatë takimit me qytetarët vlonjatë, shprehu ambicien e forcës së tij politike për të siguruar dy mandate në këtë qark.

Duke iu përgjigjur interesit të qytetarëve në rrjetet sociale mbi rolin e tij në Parlament, Shehaj u zotua se ai dhe deputetët e tjerë të “Mundësisë” do të jenë një opozitë e fortë dhe e pakompromis, duke “ua nxirë jetën” pushtetarëve që abuzojnë me fondet publike.

“Ne do u nxijmë jetën. Ne do ju nxijmë jetën. Ne do bëjmë një opozitë që nuk është bërë kurrë në Shqipëri në këto 34 vite. Jo sepse kemi ndonjë gjë me ata, sepse nuk kam asgjë personale, por sepse po vjedhin paratë e qytetarëve shqiptarë. Të vjedhësh popullin më të varfër në Europë është e patolerueshme,” deklaroi Shehaj me bindje.

Pas vizitës në Vlorë, autobusi i “Mundësisë” ka vijuar udhëtimin e tij 12-orësh drejt fshatit Kotë dhe më pas do të mbyllet në Sarandë. Kulmi i kësaj faze të fushatës do të jetë aktiviteti i së dielës, 13 Prill, në Pallatin e Kongreseve në orën 17:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *