Pas tetë vitesh arratie në Dubai, i shumëkërkuari Florenc Çapja është ekstraduar pasditen e sotme në Shqipëri. Policia e Shtetit ka publikuar pamje të 44-vjeçarit, ku duket një ndryshim i dukshëm në paraqitjen e tij fizike krahasuar me kohën kur u largua nga vendi.
Në njoftimin zyrtar, policia e cilëson Çapjan si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai akuzohet nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykata e Elbasanit si porositës i tre vrasjeve të rënda.
“Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, me partnerët e Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave të INTERPOL-it, në kuadër të fazës së radhës të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua me sukses arrestimi për herë të dytë në Dubai dhe ekstradimi në Shqipëri, i të shumëkërkuarit ndërkombëtarisht, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit F. Ç., 44 vjeç, të lindur në Elbasan,” thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, 44-vjeçari ishte në kërkim me masë sigurie “Arrest në burg” të lëshuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në vitin 2022 për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Gjithashtu, ai ishte i kërkuar nga Gjykata e Elbasanit që prej vitit 2021 për veprat penale ”Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ekstradimi i Florenc Çapjas shihet si një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri dhe pritet të hedhë dritë mbi ngjarjet e rënda për të cilat ai akuzohet.