Një lokal sezonal në bregdetin e Darëzezës, Fier, me emrin “Bar Delfini”, u shkrumbua plotësisht nga flakët pasditen e sotme. Zjarri u konstatua fillimisht nga banorët e zonës, të cilët njoftuan menjëherë shërbimet zjarrfikëse.
Për shkak të konstruksionit prej druri dhe materialeve lehtësisht të djegshme, lokali u shkatërrua brenda pak minutash, pavarësisht përpjekjeve fillestare të banorëve për të ndërhyrë me mjete rrethanore.
“Bar Delfini”, në pronësi të shtetasit A.B., kishte funksionuar për pesë sezone verore. Dëmi i shkaktuar llogaritet rreth 30 milionë lekë të vjetra, duke përfshirë shkatërrimin e të gjitha pajisjeve të brendshme, 120 shezlongëve dhe 60 çadrave.
Hetimet paraprake sugjerojnë se zjarri mund të ketë qenë aksidental. Dëshmitarë të zonës kanë raportuar se pranë lokalit kanë qëndruar vizitorë që kanë konsumuar pije dhe cigare. Lokali ishte i mbyllur që nga fundi i sezonit turistik dhe nuk kishte energji elektrike.
Një grup hetimor ka nisur verifikimet e nevojshme për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit.