Romë, Itali – Një studente 22-vjeçare shqiptare, Ilaria Sula, e cila ndjek Fakultetin e Statistikave në Universitetin La Sapienza në Romë, është zhdukur prej një jave, duke ngjallur shqetësim të madh tek familjarët dhe miqtë e saj. Ilaria, sipas informacioneve, është zhdukur më 25 mars nga zona e Furio Camillo, ku jetonte në një apartament me disa shoqe.

Familjarët e shqetësuar kanë denoncuar zhdukjen e saj në Policinë e Romës dhe fotot e Ilarisë janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale në përpjekje për të marrë ndonjë informacion.

Shoqja e dhomës së Ilarisë ka treguar se 22-vjeçarja është larguar nga banesa rreth orës 21:30 të së martës, 25 mars, pa dhënë asnjë shpjegim. “Ajo nuk i tha askujt se ku po shkonte, ajo nuk tha lamtumirë, por kishte ndodhur edhe herë të tjera në të kaluarën që ajo të mos thoshte lamtumirë. Ne nuk pamë asgjë të çuditshme. Por që atëherë nuk e kam parë dhe as kam dëgjuar më prej saj,” ka deklaruar ajo për mediat.

Autoritetet po hetojnë intensivisht mesazhet e fundit të shkëmbyera nga Ilaria me shoqet e tjera të dhomës përmes aplikacionit WhatsApp, në orët pas largimit nga banesa. Këto komunikime mund të ofrojnë ndonjë të dhënë të rëndësishme për të zbardhur misterin e zhdukjes së saj.

Sipas informacioneve, Ilaria Sula nuk ka qenë më aktive në telefonin e saj që prej datës 29 mars, duke rritur edhe më shumë shqetësimin për fatin e saj. Policia italiane po vijon hetimet në të gjitha pistat e mundshme për të gjetur 22-vjeçaren shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *