Maksim Çela, një nga njerëzit e afërt të të njohurit të botës së krimit Aldo Bare, ka apeluar vendimin e autoriteteve britanike për refuzimin e kërkesës së tij për azil. Çela, i dënuar më parë në Shqipëri nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda për planifikimin e një sulmi me bombë në stadiumin e Lushnjës, ka kryer gjithashtu 23 vite burg për vrasjen e një polici dhe aktivitete të tjera kriminale si pjesë e bandës së Lushnjës.

Në argumentet e tij për azil, Çela pretendon se kthimi i tij në Shqipëri do të ishte fatal, pasi banda të rrezikshme do t’i hakmerreshin. Ai e bazon këtë frikë në historinë e tij të lidhjeve me grupe kriminale dhe konfliktet e mundshme të së kaluarës.

Megjithatë, avokatët e Home Office (Ministria e Brendshme britanike) e kanë kundërshtuar kërkesën e tij, duke e portretizuar Maksim Çelën si një “bandit të rrezikshëm” që duhet të dëbohet nga Britania e Madhe.

Sipas informacioneve, Çela ka udhëtuar drejt Britanisë së Madhe në janar të vitit 2023, pasi kaloi fillimisht në Spanjë nga Shqipëria në dhjetor të 2022. Ai ka pranuar se ka përdorur një pasaportë të falsifikuar për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar.

Tani pritet vendimi i apelit të Maksim Çelës, i cili do të përcaktojë nëse ai do të lejohet të qëndrojë në Britani të Madhe apo do të ekstradohet drejt Shqipërisë, ku pretendon se jeta i rrezikohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *