Fier, Shqipëri – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar në gjyq shtetasit Sh.K. dhe P.P. të akuzuar për “Trafikim të veprave të artit dhe kulturës”.
Sipas hetimeve, i pandehuri P.P. u kap në flagrancë më 18 dhjetor 2023, duke tentuar t’u shiste agjentëve nën mbulim objekte të ndryshme që përbëjnë pasuri kulturore materiale, pa pasur licencën e nevojshme nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Në këtë aktivitet të paligjshëm, P.P. u ndihmua nga i pandehuri Sh.K.
Gjatë operacionit, P.P. u sekuestruan disa objekte me vlerë kulturore, përfshirë një pushkë/revole të shekujve XVIII-XIX të zbukuruar, një ikonë të “Lindjes së Krishtit” të periudhës pasbizantine, një portret mermeri të “Erosit” dhe një epitaf “Vajtimi i mbivarrshëm” i realizuar me tekstil dhe qëndisje me figura metalike.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë Fier i ka shpallur fajtorë të dy të pandehurit për akuzat e ngritura. Prokuroria ka theksuar angazhimin e saj për të hetuar dhe ndëshkuar personat që kryejnë vepra penale kundër pasurisë dhe trashëgimisë kulturore.