Vrasja e Gjovalin Prendit, babait të Roan Brahimit, mbrëmjen e 17 prillit pranë lokalit të tij në Pllanë, vijon të jetë një krim pa autor. Gazetarja Dorjana Bezat, në emisionin “Top Story”, ka zbuluar detaje të reja mbi qëndrimin e 64-vjeçarit pas vrasjes së djalit të tij.
Sipas Bezës, Gjovalin Prendi kishte shprehur qartë se nuk dëshironte hakmarrje për humbjen e Roan Brahimit, duke ia lënë çështjen në dorë të drejtësisë. “Babai i Roan Brahimit lëvizte si njeri i lirë. I vetmi në këtë familje që predikonte që t’ja linin në drejtësi. Kishte organizuar një darkë ku do mblidhte nipat për t’jua thënë për hakun e të birit. T’ja linin shtetit, por nuk ndodhi kjo sepse në lokal ai ka qenë së bashku me disa klientë të rastësishëm,” tha gazetarja.
Bezat theksoi se pavarësisht vulnerabilitetit të tij, Gjovalin Prendi jetonte normalisht deri në momentin tragjik kur u qëllua me armë zjarri në lokalin e tij. “Jetonte si një njeri i lirë, pavarësisht se ishte me shpinë dhe krejt i pambrojtur, u zbrazën plumbat. E shoqja ka tentuar për ta ndihmuar, por nuk ka mundur.”
Familjarët e viktimës kanë shprehur shqetësimin për reagimin e ngadaltë të policisë pas ngjarjes. “Familjarët pretendojnë se reagimi i policisë ka qenë shumë i ngadaltë,” raportoi Bezat.
Gazetarja e “Top Story” ka nënvizuar gjithashtu problemin e përhapur të armëve të zjarrit në Shqipëri dhe mungesën e ndrojtjes për t’i përdorur ato. “Kjo është e metë e policisë, se sot shqetësimi është se kemi armët e zjarrit në duart e personave që treguan se nuk kanë ndrojtje për t’i përdorur,” përfundoi ajo.
Vrasja e Gjovalin Prendit, në rrethana ende të paqarta dhe pa një autor të arrestuar, shton edhe më shumë mister mbi ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik pas ekzekutimit të Roan Brahimit. Hetimet nga autoritetet vijojnë në përpjekje për të zbardhur të dyja krimet.