Një atentat i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Sulaj të Fierit, ku një grua rreth 60 vjeçe është plagosur me armë zjarri. Viktima është identifikuar si shtetasja Suzana Mërnica, fermere.
Sipas informacioneve zyrtare nga policia, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 pranë mbikalimit të Dërmënasit. Mësohet se dy persona i kanë zënë pritë Suzana Mërnicës, e cila po udhëtonte me motor së bashku me djalin e saj. Autorët kanë dalë papritur përpara mjetit dhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të saj.
E plagosura ka marrë ndihmën e parë dhe është transportuar me urgjencë në spital. Sipas burimeve mjekësore, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas hetimeve të para, policia ka arritur të identifikojë autorët e dyshuar të atentatit. Ata janë shtetasit A. C., 66 vjeç, dhe A. C., 23 vjeç, banues në Dërmënas – babë e bir. Të dy janë shpallur në kërkim dhe policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e Fierit, si dhe përgjatë akseve kryesore Fier-Vlorë dhe Fier-Lushnjë. Njëkohësisht, vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve të dyshuar. Motivet e këtij atentati të rëndë ende nuk dihen dhe pritet që hetimet e mëtejshme të zbardhin rrethanat e plota të ngjarjes.