Një dëshmi e rëndë nga ish-i burgosuri Pjerind Ndoci ka hedhur dritë mbi një ngjarje kriminale të ndodhur brenda Burgut të Reçit më 29 qershor 2024, ditë kur Edmond Piraniqi ndërroi jetë. Ndoci, i cili ishte dëshmitar okular, pretendon se gjashtë gardianë të burgut rrahën për vdekje Piraniqin dhe më pas tentuan të kamuflonin vdekjen si vetëvrasje.
Emisioni investigativ Fiks Fare vazhdoi hetimet për këtë ngjarje pasi Prokuroria e Shkodrës dërgoi dosjen në gjykatë, duke akuzuar gjashtë punonjës të burgut për “kryerje veprimesh arbitrare dhe shkaktim vetëvrasje”. Sipas dosjes së prokurorisë, i burgosuri u rrah para se të tentonte të vetëvritej në qeli. Kamerat e sigurisë, sipas prokurorisë, tregojnë gardianët duke goditur Piraniqin me shkelma dhe duke e kapur nga flokët. Dosja gjithashtu përmend detaje se këmbët e të burgosurit ishin në tokë kur ai u gjet në dhomën e izolimit.
Dëshmia e Pjerind Ndocit
Pas transmetimit të investigimit të Fiks Fare, Pjerind Ndoci, një ish-i burgosur që ishte në izolim në dhomën përballë asaj ku ndodhej Edmond Piraniqi, telefonoi redaksinë e emisionit.
Ai rrëfeu se dëgjoi një sherr mes Piraniqit dhe doktorit të burgut, pas së cilës një polic lajmëroi “grupin e gatshëm”. “Pesë gardianë u futën në dhomën e Mondit dhe e qëlluan për gati 15 deri në 20 minuta,” thotë Ndoci. “Më pas e morën zvarrë në korridor dhe para derës së qelisë sime i ra pantofla. Gjendja e Mondit ishte tepër e rëndë, në gjendje tepër të rënduar dhe me kokën varur. Gardiani e ka qëlluar në korridor dhe e futi më pas në një dhomë tjetër izolimi, duke e qëlluar përsëri.”
Ndoci, i cili dëshmoi me zë dhe figurë për Fiks Fare, theksoi se Edmondi “s’kishte takat të vriste veten” dhe se “ata gardianët e bënë sikur vrau veten.” Ai shprehet se ka dëshmuar tashmë për Avokatin e Popullit dhe Komitetin e Helsinkit, por Prokuroria ende nuk e ka marrë në pyetje. Ndoci shtoi se disa ditë pas ngjarjes, ai u transferua në Tiranë dhe është i gatshëm të dëshmojë për të gjitha këto edhe në prokurori.
Pas dëshmisë së tij, Pjerind Ndoci komunikoi me telefon me babanë e Edmond Piraniqit, Lulzim Piraniqi, i cili ndodhet në Francë. Ndoci i shpjegoi se djali i tij nuk kishte bërë vetëvrasje, por ishte rrahur nga gardianët. Lulzimi shprehu dëshirën për t’u kthyer në Shqipëri për të marrë dëshminë e Ndocit, i cili konfirmoi gatishmërinë e tij për të dëshmuar ligjërisht.