Durrës, Shqipëri – Një histori e pazakontë ka zbardhur në Durrës, ku një çift turistësh irlandezë, Kevin Stack, 42 vjeç, dhe partnerja e tij Kate Connolly, janë ndaluar dhe akuzuar për “Vjedhje” në bashkëpunim të një shume prej 41,400 eurosh. Fillimisht, policia u informua se çifti kishte dorëzuar një sasi parash në Policinë e Shkodrës, duke pretenduar se i kishin gjetur në Durrës. Por, kamerat e sigurisë kanë zbuluar një tjetër version të ngjarjes.

Sipas pamjeve të sigurisë, çifti irlandez shihet duke iu afruar dy djemve të rinj në Durrës, të cilët kishin gjetur një çantë me para në tokë. Dyshohet se paratë u përkisnin dy punëtorëve të një agjencie imobilare, të cilëve u kishin rënë pasi ishin futur në makinë.

Në momentin kur dy djemtë e rinj kishin marrë paratë, çifti irlandez iu është afruar. Sipas dyshimeve, Stack dhe Connolly u kanë dhënë 500 euro djemve si “shpërblim”, duke u thënë se paratë ishin të tyre, dhe më pas janë larguar drejt Shkodrës me shumën e madhe të parave.

Megjithatë, veprimet e çiftit kanë ngjallur dyshime tek autoritetet e Durrësit, të cilët kanë nisur një hetim. Falë pamjeve të kamerave të sigurisë, është zbuluar se çifti irlandez në fakt e ka marrë çantën me para nga dy djemtë e rinj, duke hedhur poshtë pretendimin e tyre se i kishin gjetur.

Gjykata e Durrësit ka marrë masa ndaj çiftit. Gjyqtarja Suela Xhani ka vendosur arrest në burg për Kevin Stack, duke e konsideruar atë si personin kryesor në këtë veprim. Ndërsa për Kate Connolly, është vendosur masa e sigurisë “paraburgim” deri në pagimin e një garancie prej 5000 eurosh brenda pesë ditëve. Pas lirimit, Connolly do të duhet të paraqitet dy herë në muaj në Policinë Gjyqësore.

Ky rast i pazakontë ka ngritur pikëpyetje mbi motivet e çiftit irlandez dhe ka demonstruar rolin e rëndësishëm të kamerave të sigurisë në zbardhjen e ngjarjeve dhe vënien para drejtësisë të personave të implikuar në vepra penale. Hetimet nga autoritetet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *