Ish-prokurori Eugen Beci ka ndarë analizën e tij mbi akuzat e mundshme ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar seriozitetin e veprave penale për të cilat ai dyshohet. Sipas Becit, veprat e dyshuara mbartin dënime të rënda me burg.
Beci ka shpjeguar se akuzat për korrupsion aktiv dhe pasiv mund të rezultojnë në dënime nga 4 deri në 12 vite burg, ndërsa pastrimi i produkteve të veprës penale mund të dënohet nga 7 deri në 15 vite. Ai gjithashtu ka vënë në dukje se mosdeklarimi i pasurisë, megjithëse konsiderohet vepra më e lehtë në këtë kontekst, mbetet një shkelje serioze.
“Kjo tregon se kemi të bëjmë me vepra penale me një marzh dënimi shumë të rëndë. Duhet parë edhe personaliteti i personit pasi ke parë veprat penale, si dhe ndikimi i pozicionit të tij në mbledhjen e provave,” ka deklaruar Beci në emisionin “Drejt” në Ora News.
Ai ka detajuar dënimet e mundshme për secilën vepër penale:
- Korrupsioni aktiv dhe pasiv: 4-12 vite burg.
- Pastrimi i produkteve penale: 7-15 vite burg.
- Mosdeklarimi i pasurisë: (Dënimi, megjithse me i ulet, mbetet shkelje serioze)
Beci ka theksuar se prokuroria ka në dispozicion të dhënat e Nesti Angonit dhe të dhëna të tjera relevante, të cilat do të ndikojnë në hetim. Gjithashtu ai ka shtuar se edhe pozicioni i personit në hetim, mund te ndikojë në mbledhjen e provave.