Pas përfundimit të numërimit të votave nga diaspora, vëmendja politike është zhvendosur te lista e hapur, ku gara për mandate po shkakton “tërmete” brenda partive. Ndërsa në PD dueli mes Ilir Alimehmetit dhe Jorida Tabakut po mban të mbërthyer vëmendjen, në Partinë Socialiste, një betejë e ashpër po zhvillohet mes pesë grave për një mandat të vetëm në Tiranë.

Në garë janë Olta Xhaçka, Kejsi Elezi, Blerina Gjylameti, Antonela Dedej dhe Etilda Gjonaj, të cilat po luftojnë për vendin e shtatë në listën e PS-së në Tiranë. Ky vend, i destinuar për një grua për shkak të kuotës gjinore, ka përjashtuar nga Kuvendi Xhemal Qefalin, i cili ishte votuar më shumë nga burrat që nuk fituan mandat.

Aktualisht, Olta Xhaçka kryeson me 2,513 vota, por diferenca me ndjekëset është minimale. Kejsi Elezi ka 2,497 vota, Blerina Gjylameti 2,461, Antonela Dedej 2,151 dhe Etilda Gjonaj 2,132. Me gjysmën e kutive ende pa u numëruar, çdo ndryshim i vogël mund të përmbysë renditjen, duke vënë në rrezik mandatin e Xhaçkës, një figurë kyçe në qeverinë Rama.

Kjo garë e ngushtë tregon fuqinë e listave të hapura, ku votat e qytetarëve po rikonfigurojnë përbërjen e Kuvendit. Në vend të emërimeve nga lart, votuesit po zgjedhin përfaqësuesit e tyre, duke rritur shpresat për një politikë më përfaqësuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *