Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për tre ish-punonjës të policisë të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike me Greqinë. Vendimi u shpall sot, 9 prill 2025, duke rrëzuar kërkesën e të akuzuarve për ndryshimin e masës së sigurisë.

Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruskaj dhe Ervis Alisinanaj do të vijojnë të qëndrojnë në qeli me masë izolimi deri në një vendim tjetër të gjykatës. Masa e “arrest me burg” ishte dhënë fillimisht nga shkalla e parë e GJKKO-së në seancën e 3 marsit të këtij viti.

Tre të akuzuarit, nëpërmjet avokatëve të tyre, kishin paraqitur ankim më 2 prill kundër vendimit të shkallës së parë, duke kërkuar një masë sigurie më të lehtë. Megjithatë, trupi gjykues monokratik i Apelit të GJKKO-së, i përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, vendosi sot të mos e pranojë ankimin, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm.

Një nga të arrestuarit, Erdit Hazizaj, ka një profil të njohur publikisht pasi ka mbajtur pozicione drejtuese në disa komisariate të vendit. Ai ka qenë gjithashtu kandidat i Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha për Bashkinë e Roskovecit në zgjedhjet e vitit 2023.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 09.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 26 akti, datë 02.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.H., Sh.R., dhe E.A., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 17, datë 28.02.2025 dhe Vendimit nr. 28, datë 03.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar””, thuhet në njoftimin zyrtar të GJKKO-së.

Ky vendim i Apelit të GJKKO-së forcon pozicionin e akuzës dhe mban në burg tre ish-zyrtarët e policisë, duke pritur zhvillimet e mëtejshme të procesit gjyqësor për akuzat e rënda të trafikut ndërkombëtar të drogës. Lidhja e njërit prej të akuzuarve me politikën shton peshën e kësaj çështjeje në opinionin publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *