Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka lëshuar një paralajmërim të fortë për qytetarët shqiptarë, duke i bërë thirrje të mos keqpërdorin vizat turistike me qëllimin e vetëm për të lindur në SHBA.

Përmes një njoftimi të publikuar në faqen e saj zyrtare në Facebook, ambasada sqaron se udhëtimi në SHBA me vizë turistike për të lindur, një praktikë e njohur si “turizmi i lindjes”, është e papranueshme dhe do të refuzohet nga oficerët konsullorë amerikanë.

“Është e papranueshme që prindër të huaj të përdorin një vizë turistike amerikane me qëllimin parësor për të lindur në Shtetet e Bashkuara që të sigurojnë nënshtetësinë për fëmijën, çka mund të përfshijë edhe shpenzime për kujdesin mjekësor që mbulohen nga taksapaguesit amerikanë,” thekson ambasada në njoftimin e saj.

Ambasada paralajmëron se keqpërdorimi i vizave turistike për këtë qëllim mund të ketë pasoja serioze për individët e përfshirë. Ata që përfshihen në “turizmin e lindjes” rrezikojnë të humbasin të drejtën për të marrë viza në të ardhmen ose për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara.

“Ata që keqpërdorin sistemin tonë të emigracionit përmes turizmit të lindjes mund të humbasin të drejtën për viza në të ardhmen ose për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara,” thuhet në njoftim.

Ambasada e SHBA-së e cilëson këtë veprim si një mënyrë për të shërbyer dhe mbrojtur taksapaguesit dhe komunitetet amerikane, duke theksuar se Departamenti Amerikan i Shtetit po merr masa të qarta kundër kësaj praktike. Ky paralajmërim synon të ndërgjegjësojë qytetarët shqiptarë mbi rregullat e vizave dhe pasojat e keqpërdorimit të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *