Gripi i shpendëve H5N1 Durrës Karantinë Biosiguri Kontrolle Asgjësim Simptoma

Tiranë, Shqipëri – Një sasi prej 27 tonë mishi pule e importuar nga Brazili është bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) pasi ka rezultuar e infektuar me bakterin e Salmonelës. Skandali ka ngritur alarmin për sigurinë ushqimore në vend dhe ka nxitur reagimin e ashpër të Belind Këlliçit, i cili i ka bërë thirrje ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, të mbajë përgjegjësi për këtë “krim kundër shëndetit” të qytetarëve.

AKU njoftoi zyrtarisht se ka nisur menjëherë procedurat e gjurmimit dhe bllokimit të kësaj sasie mishi pule, e cila ka hyrë në Shqipëri përmes Portit të Durrësit. Sipas autoritetit, subjekti importues është inspektuar dhe dosja e tij i është referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore. Kompania importuese do të hetohet për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacioneve të pasakta.

Skandali u bë publik pas një investigimi të emisionit “Piranjat” në SYRI TV, ku u zbulua se analizat e kryera në ISUV (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare) kishin konfirmuar praninë e Salmonelës në 27 tonët e mishit të importuar nga Brazili.

Lidhur me këtë ngjarje, Belind Këlliçi ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, duke e cilësuar situatën si një denoncim urgjent që prek drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve shqiptarë.

“Nga një investigim i emisionit Piranjat në SYRI TV, 27 tonë mish pule i importuar nga Brazili rezulton i infektuar me bakterin e Salmonelës, sipas analizave të kryera në ISUV. Kjo sasi e mishit të importuar dyshohet se është hedhur në treg pa pritur rezultatin e analizave. Kjo është një çështje urgjente!!!” – shkruan Këlliçi.

Ai thekson se kjo nuk është më një çështje politike, por një problem serioz që lidhet me sigurinë ushqimore të të gjithë qytetarëve. Në fund të reagimit të tij, Këlliçi i drejtohet drejtpërdrejt ministres Anila Denaj, duke i kërkuar përgjigje publike dhe mbajtje përgjegjësie për këtë skandal.

“Ministre Anila Denaj, jepini përgjigje qytetarëve mbi ushqimin që konsumojnë dhe mbani përgjegjësi për këtë krim kundër shëndetit!” – përfundon Këlliçi.

Ky skandal ushqimor pritet të shkaktojë debate të mëtejshme dhe të rrisë shqetësimin e konsumatorëve për cilësinë dhe sigurinë e produkteve ushqimore që hidhen në tregun shqiptar. Autoritetet pritet të vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të marrë masat e nevojshme ndaj përgjegjësve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *