Një seancë e tensionuar është zhvilluar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka vazhduar të japë dëshminë e tij në lidhje me dosjen “Plumbi i artë”. Dëshmia e tij ka shkaktuar përplasje të forta me të pandehurit në sallë, duke zbuluar detaje tronditëse mbi vrasje të porositura, akuza ndaj një komisari policie dhe incizime komprometuese.
Dumani ka rrëfyer njohjen e tij me killerin Henrik Hoxhaj, duke treguar se u gëzua për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, pasi sipas tij, komisari i kishte rënë në hak. Ai ka treguar se e kishte goditur disa herë fizikisht pasi u arrestua për vjedhje makinash.
“Henrik Hoxhaj e kam takuar në dhjetor 2019. Festim Qoli më ka folur për Henrikun kur kam dalë nga burgu. Mora vesh që ai ishte vrarë pastaj. I thashë Festimit mirë që u vra Dritan Lamaj, se më hyri në hak kot,” ka dëshmuar Dumani.
Ai ka zbuluar gjithashtu se i ishin premtuar 100 mijë euro për të vrarë Dorian Shkozën, shoku i tij, dhe se kishte përdorur telefon të enkriptuar me kodin “Covid19” dhe platformën Sky Ecc.
“Më tha do vish do të jap 95 mijë euro për vrasjen e Dorian Shkozës në Durrës. Personi tjetër ishte Eljo Bitri. E kisha vënë në dijeni Henrikun. Elios i premtova 35 mijë euro,” ka shtuar Dumani.
Dëshmia e tij ka shkaktuar zemërimin e të pandehurit Enver Diva, i cili ka deklaruar se ka incizime që provojnë se Dumani ka takuar gjyqtarë dhe deputetë, dhe se ka premtuar hakmarrje ndaj shokëve të Talo Çelës.
“Unë kam një provë timen që ky do i fuste në burg të gjithë shokët e Talos. Unë e kam të incizuar me fakte dhe prova që gjyqtarë dhe deputetë kanë ardhur për të takuar Nuredin Dumanin. Janë 120 minuta incizim,” ka thënë Diva.
Seanca ka zbuluar një rrjet të ndërlikuar lidhjesh dhe akuzash, duke hedhur dritë mbi aktivitetet kriminale dhe lidhjet e dyshuara me zyrtarë të lartë. Hetimet e GJKKO-së pritet të vazhdojnë për të zbardhur të gjitha detajet e kësaj çështjeje të rëndë.