Vlorë, Shqipëri – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Vlorë ka sekuestruar 500 kilogramë mish pule pas kontrolleve të ushtruara në disa subjekte, ku është konstatuar prania e salmonelës. Aksioni i AKU-së u ndërmor më 26 mars, pas informacioneve të marra nga AKU qendrore lidhur me përdorimin e mishit të pulës të kontaminuar në zona të ndryshme.
Gjatë kontrolleve, AKU Vlorë ka identifikuar 6 subjekte që kanë rezultuar pozitive me salmonelë. Në listën e subjekteve të prekura përfshihen dy “fast food”-e, tre markete dhe një restorant. Për pasojë, sasia prej 500 kg mish u sekuestrua menjëherë nga autoritetet.
Sipas AKU Vlorë, është shqetësues fakti që ndër subjektet ku u gjet salmonela, dy prej tyre ishin “fast food”-e të vendosura pranë institucioneve arsimore. Gjithashtu, restoranti i infektuar shërbente mishin si fileto, ndërsa salmonela u konstatua edhe në supermarkete.
AKU Vlorë ka njoftuar se janë marrë mostra për analizim edhe në subjekte të tjera, për të cilat priten rezultatet e laboratorit. Kontrollet janë fokusuar në subjektet e referuara nga AKU qendrore në Tiranë, e cila kishte informacione mbi shpërndarjen e furnizimit të mishit të kontaminuar.
Lidhur me shqetësimet e ngritura në lidhje me fabrikat e sallamit, AKU ka deklaruar se deri më tani nuk ka asnjë informacion që këto fabrika të jenë furnizuar me mish nga kompania e identifikuar si burimi i kontaminimit me salmonelë. Megjithatë, kontrollet nga AKU në të gjithë vendin pritet të vijojnë për të siguruar sigurinë ushqimore të konsumatorëve.