Tiranë, Shqipëri – Pas thuajse pesë muajsh pritje, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të mbajë nesër, në orën 09:30, seancën e radhës paraprake për dosjen e shumëdiskutuar të aferës ‘Partizani’. Kjo seancë pritet të jetë vendimtare, pasi gjyqtarja e çështjes, Davidhi, do të marrë një vendim nëse ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, dhe tre të pandehurit e tjerë do të dërgohen zyrtarisht për gjykim.
Seanca e 11 prillit merr një rëndësi të veçantë pasi përkon me ditën e nisjes së fushatës elektorale. Një dërgim i mundshëm në gjyq i dosjes ‘Partizani’ do të shënonte përballjen e parë reale të Berishës dhe Malltezit me drejtësinë shqiptare.
Seanca e parashikuar për datën 4 prill u shty për shkak të mungesës së avokatit të Jamarbër Malltezit, duke ngritur dyshime për tentativa të tjera zvarritjeje të procesit nga ana e të pandehurve. Megjithatë, me përfundimin e mbrojtjes së të gjithë të pandehurve, nesër pritet që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të paraqesë kundërshtimet e saj, pas së cilës gjyqtarja do të marrë vendimin përfundimtar në fazën paraprake.
Data e nesërme shënon gjithashtu 7-mujorin e marrjes së cilësisë së të pandehurit nga Sali Berisha, i akuzuar për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim në lidhje me aferën ‘Partizani’.
Në këtë çështje, Sali Berisha akuzohet se ka lejuar një sërë institucionesh të shkelin ligjin në procesin e kthimit të kompleksit ‘Partizani’ ish-pronarëve, ku përfituesi kryesor dyshohet të jetë dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Sipas akuzës, në pronat e ish-klubit sportiv u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh, duke siguruar fitime milionëshe nga një biznes i nisur me paligjshmëri.
Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë dosje janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, i akuzuar për korrupsion aktiv dhe pastrim parash; Xhimi Begeja, ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, i akuzuar për pastrim parash; dhe Andia Pustina, financierja e ‘Homeplan’ që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të kompanisë, gjithashtu e akuzuar për pastrim parash.
Paralelisht me procesin gjyqësor, SPAK ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuri të shumta që i përkasin Jamarbër dhe Argita Malltezit, sekuestro e cila është konfirmuar deri në Gjykatën Kushtetuese. Këto pasuri përfshijnë dhjetëra apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, të cilat do të mbeten të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit.
Ndërkohë, një tjetër hetim është në vazhdim si fraksion i kësaj dosjeje, duke u fokusuar në pasurinë e ish-kryeministrit dhe duke verifikuar nëse familjarët e tij kanë përfituar nga vendimet e tij, siç është rasti i marrjes së truallit të Kompleksit ‘Partizani’ dhe ndërtimit të 19 kullave nga dhëndri i tij.
Të pandehurit në dosjen ‘Partizani’:
- Sali Berisha: Ish-kryeministër, akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Jamarbër Malltezin.
- Jamarbër Malltezi: Dhëndri i ish-kryeministrit, akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën, dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
- Fatmir Bektashi: Ndërtues, akuzohet për “Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrim parash”.
- Xhimi Begeja: Ortaku i Malltezit dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, akuzohet për “Pastrim parash”.
- Andia Pustina: Financierja e ‘Homeplan’, akuzohet për “Pastrim parash”.