Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Kukës, ku 27-vjeçari Ajet Lleshi, i cili ishte shpallur i humbur prej mbrëmjes së djeshme, është gjetur i pajetë ditën e sotme. I riu ishte nisur për të prerë dru në malin e Pashtrikut.
Familjarët e Ajetit kishin njoftuar zhdukjen e tij pasi ai kishte telefonuar mbrëmjen e së djeshmes duke kërkuar ndihmë. Në kërkim të tij ishin vënë babai i tij, Rizai, së bashku me tre xhaxhallarët e 27-vjeçarit, duke u ndarë në drejtime të ndryshme në mal.
Situata mori një tjetër kthesë dramatike kur rreth orës 2 të mëngjesit të sotëm, familjarët humbën kontaktet edhe me babain e Ajetit, Rizain.
Pas disa orësh kërkimesh intensive nga Ekipi i Emergjencave Civile dhe banorët e fshatit, u arrit të gjendej Riza Lleshi në malin e Pashtrikut. Fatkeqësisht, ai u gjet në gjendje të rënduar fizike dhe psikologjike. Ndërkohë, pak më vonë, u konfirmua lajmi tragjik i gjetjes së Ajet Lleshit pa shenja jete.
Detaje të tjera rreth rrethanave të humbjes së jetës së 27-vjeçarit ende nuk dihen dhe pritet që autoritetet të zbardhin ngjarjen. Kjo tragjedi ka shokuar komunitetin e Kukësit.