Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen e 22-vjeçares Ilaria Sula në Itali, ku ish-i dashuri i saj, Mark Samson, 23 vjeç, e masakroi me thikë. Nors Marlapz, nëna e Samsonit, ka rrëfyer se ka bashkëpunuar me të birin pas krimit makabër.
Gjatë një marrjeje në pyetje që zgjati plot katër orë, Marlapz ka pranuar se ka ndihmuar djalin e saj të fshinte gjurmët e gjakut në shtëpi. “Unë e ndihmova djalin tim të pastronte njollat e gjakut në shtëpi,” ka deklaruar ajo para prokurores Maria Perna.
Pas rrëfimit të saj, prokuroria ka zyrtarizuar akuzën ndaj Nors Marlapz për bashkëpunim në fshehjen e kufomës. Zonja, e cila ka pranuar se ndodhej në shtëpi në momentin e vrasjes së tmerrshme të kryer nga i biri, dyshohet se ka ndihmuar në pastrimin e dhomës së gjumit ku ndodhi krimi.
Ky zhvillim i ri në hetim e bën edhe më tronditëse ngjarjen, duke implikuar edhe një anëtar tjetër të familjes në këtë akt të dhunshëm. Detajet e plota të bashkëpunimit të nënës me djalin e saj pritet të zbardhen gjatë hetimeve të mëtejshme. Opinion publik italian është i tronditur nga ky krim dhe bashkëpunimi i nënës, duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin e merituar për të dy.