Romë, Itali – Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula në Itali, trupi i pajetë i së cilës u gjet i mbyllur në një valixhe në një zonë të pyllëzuar. I dashuri i saj filipinez, Mark Samson, ka rrëfyer krimin makabër, duke pranuar se e ka vrarë të riunën në shtëpinë e tij dhe në një kohë kur prindërit e tij ndodheshin po ashtu në banesë, megjithëse ata nuk janë përfshirë në hetim.

23-vjeçari u shoqërua në komisariat në orët e para të mëngjesit dhe u mor në pyetje për disa orë nga prokurorët e koordinuar nga zv/prokurori Giuseppe Cascini i prokurorisë së Romës. Gjatë seancës maratonë, Samson ka bashkëpunuar me hetuesit, duke i orientuar drejt vendit ku kishte fshehur valixhen me trupin e pajetë të 22-vjeçares.

Në dëshminë e tij para policisë, Samson ka pranuar se e ka goditur Ilarian disa herë me thikë në banesën e tij, e cila ndodhet në Via Homs në Romë. Më pas, ai ka zbuluar se e ka futur kufomën në një makinë dhe e ka transportuar drejt një pylli që ndodhet rreth 40 kilometra larg kryeqytetit italian, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.

I riu ka treguar gjithashtu se është përpjekur të zhdukë provat e tjera. Ai ka pohuar se e ka hedhur thikën e krimit në një kazan mbeturinash dhe celularin e Ilarias në një pusetë në zonën e Montesacro. Pavarësisht udhëzimeve të tij, deri më tani, as thika dhe as celulari nuk janë gjetur nga autoritetet.

Rrëfimi i detajuar i Mark Samsonit hedh dritë mbi një krim të tmerrshëm dhe tradhton një plan të ftohtë për të fshehur vrasjen. Hetimet nga autoritetet italiane vijojnë për të verifikuar plotësisht dëshminë e 23-vjeçarit dhe për të mbledhur çdo provë tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie. Detajet e reja të rrëfimit të të dashurit filipinez konfirmojnë fundin tragjik të jetës së Ilaria Sulës dhe tronditin opinionin publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *