Një zjarr i madh ka shpërthyer të mërkurën në një depo për shpërndarjen e produkteve kimike pranë Seviles, në jug të Spanjës, duke shkaktuar një re të dendur tymi të errët që është ngritur mbi zonë. Autoritetet lokale kanë lëshuar menjëherë urdhër për rreth 80,000 banorë që të mbyllen në shtëpitë e tyre si masë paraprake kundër rrezikut të ekspozimit ndaj tymit toksik.
Sipas një zëdhënësi të shërbimeve rajonale të emergjencës, ata kanë marrë qindra telefonata që nga ora 13:20, duke i njoftuar për zjarrin në parkun industrial La Red në Alcala de Guadaira, rreth 16 kilometra në juglindje të Seviles.
Zëdhënësi ka deklaruar për mediat ndërkombëtare se punëtorët e depos, e cila i përket kompanisë lokale të shpërndarjes së kimikateve Plainsur, kanë raportuar se të gjithë janë të sigurt dhe askush nuk është lënduar apo bllokuar brenda. Megjithatë, ekipet e emergjencës ende nuk e kanë konfirmuar plotësisht këtë informacion.
Bashkia e Alcala de Guadaira ka lëshuar një thirrje urgjente për 77,000 banorët e komunës që të strehohen në shtëpi me dritaret dhe dyert e mbyllura fort, pasi ende nuk është e qartë niveli i toksicitetit të tymit. Si masë shtesë sigurie, depot e tjera të ndodhura pranë vendit të ngjarjes janë evakuuar.
Në faqen e saj zyrtare të internetit, kompania Plainsur rendit disa përbërës shumë të ndezshëm si etileni, tolueni dhe tretës industrialë midis produkteve që ajo shpërndan. Kjo ka rritur shqetësimet për natyrën e rrezikshme të zjarrit dhe tymit që po përhapet në zonë. Autoritetet po monitorojnë nga afër situatën dhe po punojnë për të kontrolluar zjarrin dhe për të vlerësuar rreziqet e mundshme për shëndetin e banorëve.