Tiranë – Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm (18 maj) në zonën e Komunës së Parisit, ku një 28-vjeçar u paraqit i plagosur në këmbë në spital. Hetimet e shpejta kanë zbuluar se i riu, i identifikuar si Kristjan Kaçorri, ishte vetëplagosur aksidentalisht me një armë zjarri që e mbante pa leje.
Incidenti ka ndodhur në ambientet e një lokali në këtë zonë. Përveç Kaçorrit, policia ka ndaluar edhe dy persona të tjerë, Airold Cami, 33 vjeç, dhe Arnold Malci, 30 vjeç (kamarier në lokal), si dhe ka shpallur në kërkim shtetasin E. E., 41 vjeç, banues në Kuçovë. Të tre akuzohen për përpjekje për të fshehur armën e zjarrit dhe provat e tjera.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, pas vetëplagosjes, shtetasit Airold Cami dhe 41-vjeçari E. E. kanë marrë pistoletën dhe gëzhojën me qëllim fshehjen e tyre në një ambient jashtë lokalit. Ndërkohë, kamarieri Arnold Malci ka tentuar të pastrojë gjurmët nga vendi i ngjarjes.
Arma e zjarrit tip pistoletë është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale. 28-vjeçari i plagosur, Kristjan Kaçorri, ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve dhe sipas informacioneve, është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet në lidhje me këtë ngjarje i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme ligjore dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e secilit prej të përfshirëve.