Kryeministri Edi Rama priti sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, në një vizitë që shënon një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Takimi i nivelit të lartë vjen në një kohë kur Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë forcuar ndjeshëm bashkëpunimin ekonomik dhe diplomatik, veçanërisht pas investimeve të konsiderueshme arabe në projekte të infrastrukturës dhe turizmit në Shqipëri.

Sheikh Zayed Al Nahyan, i cili drejton një nga vendet më të fuqishme ekonomikisht në Lindjen e Mesme, zhvilloi një takim me Kryeministrin Rama për të diskutuar projekte strategjike dhe mundësi të reja investimi në vend. Mes pikave kyçe të bisedimeve pritet të jenë sektori i energjisë së rinovueshme, turizmi luksoz dhe bashkëpunimi në fushën e tregtisë dhe teknologjisë.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Emirateve kanë njohur një zhvillim të konsiderueshëm vitet e fundit, duke kulmuar me projekte të mëdha si ai i transformimit të portit të Durrësit dhe të infrastrukturës turistike në jug të vendit. Kjo vizitë e presidentit Al Nahyan pritet të sjellë hapa të mëtejshëm në këtë partneritet.

Vizita e liderit të Emirateve në Shqipëri konfirmon rëndësinë që EBA i kushton rajonit të Ballkanit dhe përpjekjet e Tiranës për të tërhequr investime të huaja strategjike. Në pritje të deklaratave zyrtare, vëmendja mbetet tek axhenda e bisedimeve dhe projektet që mund të konkretizohen pas kësaj vizite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *