Tragjedia e ndodhur një ditë më parë në Laç ka marrë një tjetër kthesë të dhimbshme. I riu Gerald Bitri, i cili u plagos rëndë gjatë konfliktit të armatosur, ka ndërruar jetë sot në spitalin e Traumës në Tiranë. Lajmi i hidhur ka tronditur opinionin publik dhe ka rritur bilancin tragjik të ngjarjes.
Bitri ishte një nga pesë personat e plagosur në incidentin e dhunshëm, i cili la pas edhe katër të tjerë të lënduar: Angjelina Gjezaj (58 vjeçe), Amarildo Ndoj (26 vjeç), Liridon Ismaili (26 vjeç) dhe Daniel Gjeloshi (26 vjeç).
Sipas hetimeve të deritanishme, të ndihmuara nga pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të përfshirë dhe dëshmitarëve okularë, ngjarja ka nisur nga një konflikt banal mes dy grupeve të rinjsh për shkak të prekjes së pasqyrave të makinave gjatë lëvizjes.
I arrestuari Klevis Ndreca (28 vjeç), i cili ndodhej në makinë me Amarildo Ndojn, dhe Daniel Gjeloshi, i cili shoqërohej nga Liridon Ismailaj dhe viktima Gerald Bitri, fillimisht janë konfliktuar verbalisht. Pas pesë minutash, sherri ka agravuar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Mësohet se pas konfliktit fillestar, palët kanë lënë një takim për t’u sqaruar në rrugën ku më pas ndodhi përleshja me armë. Sapo kanë zbritur nga automjetet, Ndreca ka nisur të qëllojë. Në shkëmbimin e zjarrit mes Ndrecës dhe Gjeloshit, ky i fundit nuk ka arritur të plagosë asnjë person. Ndërkohë, Klevis Ndreca ka qëlluar në drejtim të tre të rinjve të tjerë, duke i lënë të plagosur, përfshirë Gerald Bitrin, i cili fatkeqësisht humbi jetën sot. Nga të shtënat u plagos aksidentalisht edhe shoku i Ndrecës, Amarildo Ndoj, si dhe shitësja ambulante.
Pas krimit, Klevis Ndreca u largua nga vendi i ngjarjes në këmbë. Ndërsa Daniel Gjeloshi, arma e të cilit u gjet pranë vendit të ngjarjes, nuk ka plagosur askënd me armën e tij.
Vdekja e Gerald Bitrit e rëndon edhe më shumë situatën dhe pritet që të intensifikojë hetimet e autoriteteve për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të të gjithë përgjegjësve.