Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me konfliktin e armatosur që tronditi Laçin një ditë më parë, duke zbuluar se shkak i sherrit fillestar ka qenë një incident banal mes dy makinave. Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Brixhilda Deda, konflikti ka nisur mes Klevis Ndrecës, i cili ndodhej në makinë me Amarildo Ndojn, dhe Daniel Gjeloshit, i cili shoqërohej nga Liridon Ismailaj dhe Gerald Bitri.
Burime nga hetimet bëjnë të ditur se shkak i sherrit verbal mes të rinjve ka qenë prekja e pasqyrave të makinave të tyre gjatë lëvizjes në rrugë. Një konflikt verbal i cili, vetëm pesë minuta më vonë, do të agravohej në përdorimin e armëve të zjarrit.
Raportohet se pas sherrit fillestar për pasqyrat, palët e përfshira kanë lënë një takim të dytë në rrugën ku më pas ndodhi tragjedia, me qëllim që të sqaroheshin. Sapo automjetet kanë ndaluar dhe personat kanë zbritur, Klevis Ndreca ka nisur të qëllojë me armë në drejtim të grupit tjetër.
Si pasojë e të shtënave, Gerald Bitri ndërroi jetë sot në spital, duke e rënduar bilancin e ngjarjes. Përveç tre të rinjve të tjerë që mbetën të plagosur, plumbat e shkrepura nga Ndreca plagosën aksidentalisht edhe shokun e tij, Amarildo Ndoj, si dhe një shitëse ambulante që ndodhej aty pranë.
Në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë konstatuar se edhe Daniel Gjeloshi është kundërpërgjigjur me armë zjarri, por fatmirësisht nuk ka plagosur asnjë person. Arma e zjarrit tip pistoletë, e gjetur pak metra larg vendit të konfliktit, i përket 26-vjeçarit Daniel Gjeloshi.
Ngjarja e rëndë në Laç, e nisur nga një sherr i parëndësishëm për një pasqyrë makine, ka shokuar opinionin publik dhe ka vënë në alarm autoritetet ligjzbatuese, të cilat vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të secilit prej të përfshirëve.