Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv duke vendosur tarifa të reja doganore ndaj një sërë vendesh me të cilat Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie tregtare, përfshirë aleatë të ngushtë si Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe Shqipërinë e Kosovën.

Sipas njoftimit të bërë të mërkurën nga Shtëpia e Bardhë, tarifat ‘bazë’ prej 10% do të hyjnë në fuqi më 5 prill. Ndërsa për 60 shtete të konsideruara si “shkelësit më të mëdhenj” – të cilat do të përballen me tarifa shtesë përtej nivelit minimal – masat e reja do të nisin të aplikohen nga data 9 prill.

Nga Kopshti i Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, Trump argumentoi se SHBA-ja është shfrytëzuar dhe “plaçkitur” nga partnerët e saj tregtarë prej vitesh, duke e cilësuar këtë si arsyen kryesore për vendimin e tij për të vendosur tarifa doganore shtesë mbi mallrat e importuara.

Aleatët tradicionalë të SHBA-së do të jenë ndër të parët që do të ndjejnë impaktin e këtyre tarifave. Importet nga Bashkimi Europian do të tarifohen me 20%, ndërsa ato nga Mbretëria e Bashkuar me 10%. Një tarifë e konsiderueshme prej 34% do të aplikohet gjithashtu ndaj mallrave që vijnë nga Kina.

Presidenti republikan e ka bërë prej kohësh të qartë shqetësimin e tij lidhur me disbalancën tregtare, duke argumentuar se volumi i importeve në SHBA është dukshëm më i madh se ai i eksporteve, një diferencë që ai e konsideron të padrejtë.

Sipas raportimeve të Radios Evropa e Lirë (REL), edhe vendet e Ballkanit nuk do të shpëtojnë nga vala e re e tarifave doganore amerikane. Shqipëria dhe Kosova do të përballen me një tarifë prej 10% për mallrat që eksportojnë në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, Serbia do të goditet me një tarifë prej 37%, Bosnja e Hercegovina me 35% dhe Maqedonia e Veriut me 33%.

Një tjetër masë e rëndësishme e njoftuar nga Trump është vendosja e një tarife doganore prej 25% mbi të gjitha automjetet e prodhuara jashtë Shteteve të Bashkuara. Kjo tarifë pritet të hyjë në fuqi që nga dita e nesërme, duke goditur rëndë prodhuesit e huaj të makinave që shesin në tregun amerikan.

Duke mbajtur një tabelë në dorë, Trump shpalosi përqindjet e tarifave doganore që do të prekin secilin vend me të cilin SHBA ka marrëdhënie tregtare, duke theksuar fillimisht tarifat doganore që këto vende aplikojnë aktualisht për importet amerikane. Ky veprim i presidentit amerikan pritet të shkaktojë reagime të forta nga partnerët tregtarë të SHBA-së dhe mund të çojë në tensione të reja në marrëdhëniet ekonomike globale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *