Presidenti Donald Trump ka shprehur zemërimin e tij ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke paralajmëruar se mund të vendosë tarifa shtesë ndëshkuese mbi naftën ruse. Kërcënimi erdhi gjatë një interviste telefonike për NBC News të shtunën, ku Trump theksoi se kjo masë do të ndërmerret nëse Putin nuk bashkëpunon në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Isha shumë i zemëruar kur Putin filloi të merrej me besueshmërinë e Zelensky, sepse kjo nuk po shkon në drejtimin e duhur,” u shpreh Trump, duke nënkuptuar pakënaqësinë e tij me veprimet e presidentit rus në lidhje me negociatat e paqes.
Presidenti amerikan paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje për të ndalur konfliktin në Ukrainë dhe nëse ai e sheh Rusinë si fajtore për këtë dështim, do të vendosë tarifa mbi të gjithë naftën e importuar nga Rusia. Ky kërcënim sinjalizon një qasje të ashpër të mundshme nga Trump ndaj Rusisë në përpjekje për të ndikuar në zgjidhjen e krizës ukrainase.