Në gjykatë u zbardh dëshmia e Aleksandër Krrashit, 24-vjeçarit që drejtonte betonieren e përfshirë në aksidentin tragjik në Fushë Prezë, ku humbën jetën katër të rinj. Krrashi deklaroi se pas përplasjes, tentoi të shpëtojë të rinjtë, por makina e tyre shpërtheu në flakë.

“Kur makina më goditi nga pas, dola menjëherë dhe tentova të hap dyert. Makina shpërtheu në flakë dhe ishte e pamundur ta ndihmoja më tej,” tha Krrashi në dëshminë e tij. Ai shtoi se kontaktoi kompaninë dhe kërkoi një betoniere me ujë për të shuar flakët.

Krrashi tha gjithashtu se pas aksidentit shkoi në shtëpi dhe më pas u paraqit në komisariat me familjarët e tij. “E njoftova dhe familjen time dhe më pas shkova në shtëpi. Pas ndërrimit të rrobave, bashkë me katër familjarë të mi, shkova në Komisariatin e Kamzës ku dhe u dorëzova,” dëshmoi ai.

Ai shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, duke thënë: “Iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave.”

Gjykata caktoi masën e sigurisë “burg pa afat” për 24-vjeçarin, ndërsa u mësua se ai nuk kishte patentë për të drejtuar betonieren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *