Një rast që ka tronditur sistemin e drejtësisë dhe imigracionit në Britaninë e Madhe është ai i Olsi Behelulit, një trafikant droge shqiptar 33-vjeçar. Ai u kap me 8 kilogramë heroinë dhe u fotografua i rrethuar nga 250 mijë paund kesh, megjithatë, ka fituar të drejtën të mos deportohet nga vendi, duke ndezur debate të ashpra mbi aplikimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Beheluli emigroi në Britani kur ishte vetëm 9 vjeç. Në vitin 2015, ai u dënua me 11 vite burg si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin e heroinës. Ajo që e bën rastin edhe më të diskutueshëm është fakti se arrestimi i tij erdhi vetëm tetë muaj pasi ai kishte fituar nënshtetësinë britanike, duke fshehur të kaluarën e tij kriminale në formularin e natyralizimit, siç raporton “The Telegraph”.
Arrestimi i tij ndodhi në Londrën veriperëndimore, ku po transportonte 8 kilogramë heroinë të pastër me vlerë rreth 200,000 paund. Këto ishin rrugës për në një magazinë, ku më vonë u zbuluan edhe dokumente false identifikimi dhe peshore droge. Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) gjeti në telefonin e Behelulit një foto ku ai shfaqej i rrethuar nga 250,000 paund në kesh, një provë e jetës së tij luksoze, e ndërtuar mbi aktivitete të paligjshme.
Megjithëse Home Office dhe NCA kërkuan deportimin e tij, një gjykatë e nivelit të ulët vendosi në favor të Behelulit. Arsyeja e dhënë ishte mungesa e provave konkrete, si survejimi apo dëshmi të drejtpërdrejta, që ai kishte qenë pjesë e krimit përpara marrjes së nënshtetësisë.
Megjithatë, Home Office apeloi vendimin, duke përdorur argumentin e “arsyes së shëndoshë”, duke theksuar se ishte e pabesueshme që një individ i panjohur në botën e drogës do t’i besohej një sasi kaq e madhe heroine dhe shuma të konsiderueshme parash. Kjo argumentojë u pranua nga Gjykata e Lartë, e cila urdhëroi një rishqyrtim të çështjes.
Ky rast ka shërbyer si simbol i një sërë çështjesh të ngjashme që po ushtrojnë presion mbi qeverinë britanike për të forcuar rregullat e deportimit. Ministrat po propozojnë rritjen e pragut për të ndaluar përdorimin e nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), i cili mbron të drejtën për një jetë familjare, dhe nenit 3, që ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor.
Rasti i Behelulit nxjerr në pah një sfidë të madhe për autoritetet britanike: balancimin mes të drejtave të njeriut dhe ruajtjes së sigurisë publike. Pavarësisht se autoritetet këmbëngulin se ai ka mashtruar për të marrë nënshtetësinë dhe ka qenë pjesë e një strukture kriminale të mirëorganizuar, për momentin ai ende gëzon të drejtën për të qëndruar në Britani.