Altin Dumani SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) Krimi i organizuar Korrupsioni Sofistikim Off-shore Fshehje parash Pastrim parash Organizata ndërkombëtare kriminale Juridiksione off-shore Hetim Bashkëpunim ndërkombëtar FATF (Task Forca Financiare) MONEYVAL Listë gri Asete Strategji Kapacitete hetimore

Dy persona janë vënë në pranga nga forcat e ligjit pas një hetimi të shpejtë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nën akuzën e ndërhyrjes së paligjshme në sistemet kompjuterike. Mësohet se të arrestuarit kanë depërtuar në adresat e e-mail-eve të disa prokurorëve të posaçëm dhe madje kanë tentuar të futen edhe në adresën zyrtare të kreut të SPAK, Altin Dumani.

Ngjarja, e cila ka ndodhur më 12 mars të këtij viti, alarmoi institucionin e akuzës, por falë masave të sigurisë dhe reagimit të menjëhershëm, ndërhyrja në sistemin e përgjithshëm të IT-së së SPAK nuk u realizua. Sipas informacioneve zyrtare nga Prokuroria e Posaçme, depërtimi ka prekur vetëm adresat individuale të e-mail-eve të disa prokurorëve.

Megjithatë, dy personat e arrestuar dyshohet se kanë arritur të marrin disa informacione nga këto adresa, megjithatë pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore të rëndësishme. Paralelisht, ata kanë tentuar pa sukses të futen në e-mail-in e Drejtuesit të SPAK, Altin Dumani.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se njëri nga të arrestuarit ka kryer ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në e-mail-e, ndërsa personi tjetër ka shpërndarë informacionin e marrë tek persona të tretë. Gjatë operacionit, janë sekuestruar pajisjet kompjuterike të përdorura për kryerjen e sulmit kibernetik, si dhe skedarët e shkarkuar nga adresat e prokurorëve.

“Falë një hetimi intensiv të drejtuar nga Prokuroria e Posaçme, me përfshirjen e BKH-së si dhe Sektorit të Ekspertizës të kësaj Prokurorie u bë e mundur që të zbulohej kjo ndërhyrje e paligjshme, duke identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy shtetas – individin që ka realizuar ndërhyrjen në e-mail-e dhe atë që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Gjithashtu u bë e mundur sekuestrimi i paisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar,” thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.

Prokuroria e Posaçme ka siguruar publikun se deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë indikacion që personat e arrestuar të kenë bashkëpunuar me ndonjë punonjës të brendshëm të SPAK.

SPAK ka theksuar gjithashtu se “janë marrë të gjitha masat për të mbrojtur dosjet, të dhënat e ndjeshme dhe për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së institucionit”. Paralelisht me hetimin penal, është nisur edhe një hetim i brendshëm administrativ, i cili ka konfirmuar se sistemi i përgjithshëm i IT-së nuk është komprometuar. Gjithashtu, janë marrë masa shtesë për të forcuar protokollet e sigurisë së sistemit.

Prokurori i çështjes ka urdhëruar të gjithë personat që mund të kenë rënë në posedim të informacioneve të marra në mënyrë të paligjshme, të mos i publikojnë ato, me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor. Janë marrë në pyetje edhe individë të tjerë që mund të kenë lidhje me të arrestuarit dhe posedojnë informacionin.

Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë intensivisht, ndërsa SPAK nuk përjashton mundësinë që ngjarja të jetë pjesë e një veprimtarie të një grupi të strukturuar kriminal. Ky incident ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë kibernetike të institucioneve të drejtësisë dhe thekson nevojën për masa të vazhdueshme për të parandaluar sulme të tilla në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *