Trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvinho, foli me gazetarët pas humbjes 2-0 kundër Anglisë në “Wembley”, duke shprehur krenarinë për skuadrën dhe duke pranuar nivelin e lartë të kundërshtarit.

“Anglia është një nga kombëtaret më të forta, kanë dy mbrojtësa qendre shumë të fortë,” deklaroi Sylvinho, duke theksuar vështirësitë e hasura nga ekipi i tij. “Kjo ishte vetëm ndeshja e parë. Nuk është shumë e lehtë të vish në Uembli dhe të fitosh, unë punoj për këtë gjë. Këtu luajnë lojtarët më të mirë të botës, është e vështirë.”

Megjithatë, trajneri shprehu kënaqësinë dhe krenarinë për performancën e lojtarëve të tij. “Jam shumë i lumtur dhe krenarë për gjithë lojtarët që futen në fushë. Nëse nuk shkon në fushë i organizuar, mund të pësosh edhe 5 gola,” tha ai, duke theksuar rëndësinë e organizimit taktik.

Sylvinho analizoi edhe rrjedhën e lojës, duke vlerësuar përmirësimin e skuadrës në pjesën e dytë. “Në pjesën e dytë luajtëm më mirë. Në momentin që u fut Broja bëri një punë të mirë. Aty mund të ishim afruar me barazimin, por shënuan golin e dytë dhe ne humbëm,” shpjegoi ai.

Trajneri evidentoi vështirësitë në presing dhe në daljen nga zona, si dhe cilësitë e larta të kundërshtarit. “Kishim vështirësi për t’i bërë presing kundërshtarit. Vetëm Uzuni mund të sulmojë hapësirat. Kemi gabuar në pasimin e parë për të dalë nga zona. Në momentin që del nga ky presing që bëjnë anglezët, mund të rrezikosh,” tha ai.

Ai gjithashtu vlerësoi performancën e lojtarëve të mbrojtjes, veçanërisht Alijit dhe Balliut. “Ishte e vështirë për mbrojtësit e krahut, Aliji po luan si qendre, jo krahu te Dinamo. Por te ne e ka bërë shpesh krahun, dua t’i bëj komplimente sepse ka bërë një ndeshje shumë të mirë. Edhe Balliu i cili ka ardhur pa luajtur shumë minuta, i duhej të përballonte Rashford,” tha Sylvinho.

Në fund, trajneri u fokusua në të ardhmen, duke theksuar nevojën për të mësuar nga kjo ndeshje dhe për t’u përgatitur për sfidat e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *