Një ditëlindje e pazakontë kjo për drejtuesin politik të PD-së për Qarkun Lezhë, Agron Gjekmarkaj. Ndërsa ndiqte nga afër procesin e tensionuar të numërimit të votave të diasporës në Parkun Olimpik, ku PD-ja rrezikonte mandatin e katërt në qarkun e Lezhës, Gjekmarkaj u surprizua dy herë.

Fillimisht, mbështetësit e tij demokratë i sollën një tortë për ta uruar. Por surpriza nuk përfundoi aty. Edhe kampi i kundërshtarëve politikë, Partia Socialiste, dërgoi gjithashtu një tortë për Gjekmarkajn.

Në tortën e dërguar nga socialistët shkruhej urimi i thjeshtë “Edhe 100 Agron”. I befasuar dhe me humor, Gjekmarkaj nuk ngurroi të bënte shaka me këtë gjest të papritur, duke pyetur nëse mos tortës i kishin hedhur helm.

Ky moment i pazakontë tregon se pavarësisht rivalitetit të fortë politik, ekziston ende një nivel respekti dhe humanizmi mes palëve, veçanërisht në momente personale si ditëlindjet. Ndërkohë, PD-ja arriti të ruajë mandatin e katërt në qarkun e Lezhës, duke e bërë këtë ditëlindje edhe më të veçantë për Gjekmarkajn.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *