Në një valë protestash që përfshiu sot mbi 30 qytete në Serbi, studentët i kanë dërguar një ultimatum të prerë presidentit Aleksandar Vuçiç, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe duke paralajmëruar nisjen e mosbindjes civile nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.
Rreth orës 20:00, në çdo qytet u lexua një fjalim i njëjtë, ku theksohej se ky moment duhet të shënojë një pikë kthese për Serbinë. Studentët, të cilët kanë udhëhequr valën më të madhe të demonstratave studentore në Evropë gjatë 50 viteve të fundit, theksuan se kanë shteruar çdo formë legjitime të kërkimit të drejtësisë dhe se nuk kanë marrë përgjigje adekuate nga institucionet, por vetëm “fyerje, kërcënime, ngacmime, gënjeshtra, arrestime, rrahje, shkelje dhe gaz lotsjellës”.
Ata u betuan se do të nisin mosbindjen civile në çdo qytet, duke theksuar se nuk do të ndërhyjnë në punët e qytetarëve, por do të ndërhyjnë “në gënjeshtra, padrejtësi dhe korrupsion”. Studentët kërkuan “zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare” dhe theksuan se “Demokracia nuk duhet të mbetet thjesht një premtim.”
Kjo protestë, e cilësuar si “protestë e arsyes dhe dinjitetit”, synon të rivendosë llogaridhënien demokratike dhe të zgjojë shpresën për një shoqëri të drejtë dhe të lirë.