Jonaid Myzyri, një vartës i ministres Belinda Balluku, është paraqitur sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Kjo është paraqitja e tij e dytë, pas asaj të 7 prillit, ku ai dha shpjegime para prokurorëve dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në lidhje me hetimet që po zhvillohen për abuzime me tenderat.
SPAK po heton procedurat e tenderave të zhvilluara gjatë periudhës 2020-2023, ku ka dyshime të forta për mungesë gare. Në shumë raste, vetëm një kompani ka marrë pjesë në tender, ndërsa në raste të tjera, shoqëritë konkurrente janë skualifikuar në mënyrë të dyshimtë.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka urdhëruar më parë sekuestrimin e dokumentacionit të disa procedurave tenderuese. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), pas një auditimi, ka konkluduar se dëmi ekonomik i shkaktuar nga këto abuzime kap vlerën e 2 miliardë e 550 milionë eurove.
Paraqitja e Jonaid Myzyrit në SPAK shihet si pjesë e hetimeve të thelluara për të zbardhur skemën e abuzimeve me tenderat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme. Ai ka refuzuar të komentojë për mediat pas daljes nga institucioni i SPAK.