Një politikan shqiptar me karrierë të mëparshme në Belgjikë ka rënë në prangat e policisë pas një operacioni të gjerë antidrogë, i cili u iniciua nga zbulimi i bisedave të koduara në platformën e famëkeqe “SKY ECC”. Amarildo Vllazeria, 27 vjeç, i cili ka shërbyer si ish-Kryetar i Komunës Mortsel në Belgjikë, u arrestua si pjesë e një hetimi të gjerë që zbuloi aktivitetet e një bande të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Arrestimi i Vllazerisë u krye pas deshifrimit të mesazheve të hakuara nga “SKY ECC”, një platformë komunikimi e përdorur nga kriminelë të organizuar. Hetimet e policisë belge zbuluan se banda në të cilën dyshohet të ishte pjesë Vllazeria, ishte aktive në importin dhe eksportin e drogës, si dhe në transportin e saj gjatë periudhës 2020-2021.
Si pjesë e operacionit, policia kreu pesë kontrolle në shtëpi, përfshirë edhe një pranë qytetit Mortsel, ku banonte Vllazeria. Edhe pse ai nuk u rizgjodh në mandatin e fundit legjislativ, Vllazeria pritej të betohej si këshilltar bashkiak të martën mbrëma, duke zëvendësuar një koleg partie për disa muaj. Megjithatë, arrestimi i tij e pengoi këtë zhvillim.
“Të tre personat e arrestuar, janë anëtarë të një organizate kriminale të përfshirë në importin dhe tranzitin e kokainës përmes portit të Antëerpit,” konfirmoi policia belge pas analizimit të mesazheve të deshifruara. Gjatë kontrolleve në shtëpi, forcat e rendit sekuestruan mallra të ndryshme luksi, disa telefona celularë dhe një shumë prej 9 mijë eurosh cash. Madje, edhe ambientet e Bashkisë së Mortsel u kontrolluan si pjesë e hetimeve.
Amarildo Vllazeria ka qenë një figurë aktive në politikën lokale të Mortselit. Ai shërbeu si këshilltar bashkiak që nga viti 2018 dhe arriti kulmin e karrierës së tij politike në tetor 2023, kur u zgjodh Kryetar Komune. Gjatë asaj periudhe, ai mbajti gjithashtu pozicionin e kryetarit të komitetit special të shërbimeve sociale dhe ishte anëtar i këshillit të policisë.
Arrestimi i një ish-zyrtari të lartë komunal për akuza të tilla serioze si trafiku i kokainës, i zbuluar falë platformës “SKY ECC”, ka tronditur opinionin publik në Belgjikë dhe ka ngritur pikëpyetje mbi integritetin e zyrtarëve të zgjedhur. Hetimet pritet të vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rolin e Vllazerisë dhe të personave të tjerë të arrestuar në këtë rrjet të dyshuar të trafikut të drogës. Ky rast shërben si një tjetër shembull i rëndësisë së luftës kundër krimit të organizuar dhe përdorimit të teknologjisë për zbulimin e aktiviteteve të paligjshme.