Tiranë, Shqipëri – Kreu i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori, është përgjigjur pyetjeve mbi stilin e tij modest të jetesës dhe mungesën e pasurisë personale gjatë një interviste në RTSH. Qori theksoi se jeta e tij e përditshme është në harmoni të plotë me idealet që ai përfaqëson në politikë.
Gazetarja e RTSH-së e pyeti Qorin lidhur me faktin se ai jeton në shtëpi me qira, lëviz me autobus dhe vetë e ka pranuar se është afër jetës së shumicës së qytetarëve të vendit. Ajo shtoi se ka nga ata që pyesin se si mund të rregullojë punët e Shqipërisë dikush që “nuk ka rregulluar punët e veta”.
Në përgjigje, Qori u shpreh se ai i konsideron punët e tij të rregulluara në kuptimin e nevojave bazike të jetës. “Mendoj që punët e mia i kam rregulluar, në kuptimin që kam një strehë mbi kokë, kam ushqim të mjaftueshëm, kam një familje të shëndetshme, kam lekë për të blerë ca libra e për të pirë një kafe sa herë më duhet,” tha ai.
Qori argumentoi se për të, një jetë e realizuar nuk matet me pasurinë materiale apo luks. “Unë nuk mendoj që një jetë e realizuar është një jetë e pasur materialisht, një jetë luksoze. Është një jetë sigurisht që bashkë me të tjerët, ti ndjen solidaritetin e njerëzve si ti. Ku ti ke disa ideale, ku ti përmbushesh nga arti, kultura letërsia, filozofia e gjithçka tjetër,” u shpreh kreu i Lëvizjes BASHKË.
Ai shtoi se përmes jetës së tij të përditshme dhe angazhimit politik, ai dhe aktivistët e Lëvizjes BASHKË synojnë të jenë shembulli i qytetarëve të zakonshëm, duke ndarë të njëjtat realitete me pjesën dërrmuese të popullsisë. Ky qëndrim i Qorit thekson një qasje të ndryshme ndaj politikës, duke vënë në plan të parë idealet dhe solidaritetin mbi pasurinë personale.