Athinë, Greqi – Një ngjarje e rëndë ka tronditur Rafinën e Greqisë, ku Altin Arapaj, 41 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri mes vreshtave këtë të enjte. Si autor i dyshuar i vrasjes është identifikuar Mikel Selimaj, gjithashtu shqiptar dhe i afërm me viktimën.
Sipas informacioneve paraprake nga mediat greke, motivi i kësaj vrasjeje dyshohet të jetë një prishje pazari droge mes Arapajt dhe Selimajt. Altin Arapaj ishte një emër i njohur për policinë greke, duke qenë i përfshirë në të kaluarën në vepra të ndryshme penale, përfshirë trafikun e lëndëve narkotike.
Detaje tronditëse të paraqitura nga mediat greke tregojnë se pak para se të ndërronte jetë, 41-vjeçari Arapaj arriti të telefononte bashkëshorten e tij. Gjatë kësaj telefonate të fundit, ai i zbuloi asaj emrin e autorit që e qëlloi, duke ndihmuar kështu në identifikimin e shpejtë të të dyshuarit. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.