Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një thirrje të fortë për aleatët e NATO-s, duke theksuar nevojën urgjente për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen kombëtare. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada amerikane thekson se investimi në mbrojtje deri në 5% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) është thelbësor që Aleanca të jetë e aftë të parandalojë dhe të mbrohet kundër çdo kërcënimi të mundshëm.
“5 për qind – kaq duhet të shpenzojnë Aleatët e NATO-s që NATO të mund të parandalojë dhe mbrojë kundër çdo kërcënimi,” thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane në Facebook.
Në njoftim vihet në dukje se shumica e vendeve anëtare të NATO-s kanë shënuar rritje të konsiderueshme të buxheteve të mbrojtjes gjatë tre deri në pesë viteve të fundit. Megjithatë, ambasada thekson se kjo tendencë pozitive duhet të vijojë, duke kërkuar një angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë aleatët për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Aleancës. Thirrja e SHBA-së vjen në një kohë kur sfidat globale të sigurisë kërkojnë një gatishmëri të lartë dhe investime të konsiderueshme në mbrojtje.