Pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e 11 majit, Rudina Hajdari është një ndër zërat e parë brenda Partisë Demokratike që kërkon hapur dorëheqjen e Sali Berishës nga drejtimi i saj. Ish-deputetja e cilësoi Berishën si “të shkuarën” që mban rreth vetes njerëz të bindur, duke theksuar se zgjedhjet e fundit ishin një hap pas për Partinë Demokratike.
“Kemi një PD të tkurrur. Nuk shoh një të ardhme. Sa kohë që Berisha të jetë në krye, PD do të ketë vetëm një të shkuar dhe jo një të ardhme. Me dorëheqjen e Berishës do të ketë zhvillime të tjera,” u shpreh Hajdari në një intervistë televizive. Ajo shtoi se partia është kthyer në një organizatë rreth individit dhe jo rreth ideve, dhe se Berisha “rreth vetes ka njerëz që i binden dhe e dëgjojnë.”
Sistemi elektoral dhe krimi i organizuar
Hajdari kritikoi ashpër edhe funksionimin e demokracisë në vend, duke theksuar se “11 maji tregoi që demokracia në vend nuk funksionon. Është për të ardhur keq.” Ajo vuri në dukje se mbetje të komunizmit ende ekzistojnë dhe se liderët politikë kanë ngjashmëri me ata që u luftuan fort për t’u larguar. Sipas saj, Rama përdor të gjitha mënyrat e mundshme për të qëndruar në pushtet dhe se sistemi duhet ndryshuar, çka PD-ja duhet të kishte bërë një përpjekje më të madhe për ta realizuar.
“Sistemi elektoral është gjeneza e të gjitha gjërave. Është e paprecedentë sesi Rama forcohet nga mandati në mandat. Këto zgjedhje ishin regres, bandat bashkëpunuan me pushtetin,” tha Hajdari. Ajo përfundoi duke theksuar se Partia Demokratike duhet të kishte pasur një program të konsoliduar kundër krimit të organizuar dhe të shfaqte problemet që do të hasnin gjatë zgjedhjeve.