Një rrjet i organizuar prostitucioni, i drejtuar nga një 47-vjeçare kolumbiane, u zbulua në Tiranë pas ankesave të banorëve të një kompleksi pallatesh. Hyrjet dhe daljet e shpeshta dhe të dyshimta të vajzave kolumbiane dhe klientëve të tyre në banesat e marra me qira në Airbnb, ngritën dyshime, duke çuar në një hetim nga sektori i Antitrafiqeve të Policisë së Tiranës.
Hetimet 5-mujore zbuluan se Gabriela Martinez, organizatorja e rrjetit, rekrutonte vajza të moshës 18-35 vjeç në Kolumbi, duke i mashtruar me premtime punësimi në Shqipëri. Pasi investonte në operacione plastike për to, ajo u kërkonte vajzave të kthenin shumën deri në 4 mijë euro.
Vajzat kolumbiane regjistroheshin në faqet online të eskortave të luksit, ku gjendeshin klientët. Pagesat varionin nga 200 deri në 250 euro. Paratë e fituara i jepeshin Martinez, dhe pasi shlyhej borxhi, fitimet ndaheshin mes tyre.
Martinez e drejtonte aktivitetin kriminal nga Kolumbia, duke pasur kontakte në Shqipëri për të pritur vajzat dhe për të krijuar kushte të përshtatshme. Paratë i dërgoheshin asaj edhe nëpërmjet Bitcoin.
Hetimet zbuluan se Martinez kishte ardhur në Shqipëri në vitin 2023 dhe ishte takuar me taksistin Esmerald Sulollarin, i cili u arrestua dhe në celularin e tij u gjetën biseda mes tyre.
Në këtë aktivitet ishte e përfshirë edhe oficere krimesh e komisariatit numër 4, Anisa Brahaj. Ajo siguronte Martinez se nuk do të kishte kontrolle në ambientet ku ushtrohej prostitucion dhe do të ndërhynte nëse ndonjë vajzë shoqërohej në polici.
Nga 11 urdhër-arrestet e lëshuara, u ekzekutuan 8, ndërsa Martinez dhe dy persona të tjerë janë në kërkim. 44 vajzat kolumbiane u proceduan në gjendje të lirë.