Një sasi e konsiderueshme prej rreth 4.3 miliardë eurosh qarkullon aktualisht jashtë sistemit bankar në Shqipëri. Shifrat tregojnë se tendenca e mbajtjes së parasë fizike jashtë bankave ka vijuar të rritet me ritme të shpejta edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2025.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vlera monetare që qarkullon në dorë është rritur me afërsisht 400 milionë euro, ose 10%. Kjo prani e lartë e parasë fizike në ekonomi lidhet kryesisht me preferencën e banorëve për të kryer transaksione me para në dorë dhe për të mbajtur kursimet në shtëpi.

Megjithatë, faktorë të tjerë si informaliteti dhe paratë e përfituara nga aktivitete të jashtëligjshme gjithashtu ndikojnë në këtë sjellje.

Për të kundërshtuar këtë tendencë dhe për të nxitur përdorimin e pagesave elektronike, Strategjia Afatmesme e të Ardhurave parashikon masa konkrete gjatë vitit 2025. Një nga masat kryesore është vendosja e një limiti për pagesat cash mes individëve dhe ulja e limitit të pagesave me para në dorë mes bizneseve nga 150 mijë lekë që është aktualisht.

Paralelisht, pritet një ulje e komisioneve për përdorimin e terminaleve POS midis bankave të nivelit të dytë dhe tatimpaguesve. Si një nxitje tjetër për pagesat elektronike, gjatë këtij viti do të shpërndahen në të gjithë vendin 4750 terminale POS për tregtarët. Këto masa synojnë të reduktojnë përdorimin e parasë “cash” dhe të formalizojnë më tej ekonominë e vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *